Publicite

Autoktonia e shqitarëve në Kosovë mijëravjeçare/Polemikë me akademikët serbë

Duke filluar nga viti 1981 e tutje, në publicistikën jugosllave do të nxjerrin krye një varg përpjekjesh revizioniste të historianëve serb, ...



Duke filluar nga viti 1981 e tutje, në publicistikën jugosllave do të nxjerrin krye një varg përpjekjesh revizioniste të historianëve serb, të cilët do të rreken të hedhin poshtë burimin ilir të shqiptarëve, duke mohuar madje edhe rezultatet solide të ilirologëve jugosllavë (Milan Budimir, Henrik Bariç, Radosllav Katiçiç).

Duke shfletuar shtypin zyrtar të Shqipërisë së viteve ’80, ndeshim shpesh në trajtesa polemizuese me autorët jugosllavë, ku Kosova e historia e saj mijëravjeçare vihen në sprovë.

Portali Konica.al zgjodhi një artikull antologjik të ish-drejtorit të Institutit të Historisë, z.Stefanaç Pollo, të botuar në gazetën Drita (28 maj 1981), përmbajtja e të cilit mund të aktualizohet edhe sot.

Ky artikull elokuent është botuar me 4 qershor edhe në gazetën parisiene ‘Le Monde’ me titull ‘Mite përballë realitetit’, i nxitur si reagim ndaj një shkrimit “Nga miti serb te nacionalizmi shqiptar” të profesorit të Sorbonës, Mishel Oben, botuar në faqet e ‘Le Monde’.

Profesori i Sorbonës, Mishel Oben (Aubin) në artikullin e tij ‘Nga miti serb te nacionalizmi shqiptar’(‘Le monde’ datë 5-6 prill 1981) orvatet t’u japë një shpjegim historik ngjarjeve të kohëve të fundit në Kosovë, e cila, siç thotë ai “…ka pasur një të kaluar plot brenga, që nuk është pa dobi të njihet për ta kuptuar më mirë të sotmen”.

Premisa është e drejtë, por paraqitja e kësaj të kaluare nga ana e zotit Oben nuk është e saktë. Kolegu i Sorbonës në gjithë trajtimin e problemeve të lidhura me historinë e Kosovës u përmbahet besnikërisht, tepër besnikërisht, tezave të historiografisë “romantike” serbe të mesit të shekullit XIX, të cilat për një varg historianësh jugosllavë, e sidomos serbë të ditëve tona përbëjnë një të vërtetë të përjetshme e të paprekshme, një “tabu” së cilës as nuk duhet, as nuk mund t’i hiqet ose t’i shtohet gjë.

Romantizmi nacionalist në historiografinë e gjysmës së parë të shekullit XIX në Ballkan e në përgjithësi në Evropë, ishte një fenomen që e kishte truallin e vet në hovin “rinor” plot oreks për pushtime të borgjezisë së ardhur rishmas në fuqi; por ai kishte edhe njëfarë shfajësimi gnoseologjik në kushtet e pazhvilluara metodologjike, në nivelin e ultë të njohjes së burimeve, të kërkimeve historike në përgjithësi në këtë periudhë. Këtu janë rrënjët e atyre konstruksioneve aq familjare për historiografinë serbe të së kaluarës e së sotmes – për ato “mite”, siç i quan me të drejtë zoti Oben, siç është identifikimi në shekullin XIX i Kosovës me “Serbinë e vjetër”, karakteri i “lashtë”, i “përjetshëm” serb i popullsisë së saj, roli i saj si “zemra historike e Serbisë” etj. – afirmime që shtroheshin si postulate apriorike.

Nga këto teza është nisur kolegu i Sorbonës, siç dua të shpresoj ngase nuk i ka njohur, dhe jo se nuk ka dashur t’i njohë, realizimet e fundit të shkencës historike ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe realizime të shkencës shqiptare po edhe shkencëtarësh nga Jugosllavia vetë.

Një pasuri kolosale përbëjnë sidomos regjistrat kadastralë osmanë të shekullit XV, për njohjen e popujve ballkanas dhe shtresëzimet e tyre etnike në pragun e pushtimit osman, d.m.th. para se ky të sillte kushte që mund të fajësoheshin për ndryshime etnike, siç ka ndodhur pikërisht në rastin e Kosovës. Me rëndësi janë në këtë drejtim botimi i regjistrave kadastralë të krahinave periferike shqiptare bërë nga historiani turk H. Inalçik, historianët boshnjakë e maqedonas A.Hanxhiq e A.Stojanovski, historianët shqiptarë S.Pulaha e M.Tërnava (ky i fundit nga Kosova), etj., etj.

Pikërisht këto burime osmane kontribuojnë për të shembur përfundimisht një nga ‘mitet’e ‘tabutë’ e mëdha të historiografisë serbomadhe – atë të karakterit të lashtë e të përhershëm ekskluziv serb të popullsisë së Kosovës, tezën se shqiptarët ishin një mish i huaj që u fut në Kosovë nën egidën osmane për ta deserbizuar atë, sidomos pas dy shpërnguljeve masive të serbëve pas kryengritjeve më 1690 e 1738, kur turqit instaluan në vend të tyre popullsi të islamizuara, barinj shtegtarë, të sjellë nga të gjitha anët e Veriut të Shqipërisë.

Këtij konstruksioni, që hidhej poshtë edhe nga argumente të tjera, iu hoq tani përfundimisht toka nën këmbë, sepse defteri i regjistrimit të Kosovës, i vitit 1455, pa filluar ende procesi i islamizimit masiv, elementi shqiptar është i pranishëm në mënyrë masive si bujq deri në viset më lindore të fushës së Kosovës, ashtu si do ta gjejmë diçka më vonë, pas të dhënave të A.Stojanovskit, po mënyrë masive në Maqedoninë Lindore, në Kratovo.

Një interpretim shkencor i antroponimisë së këtyre defterëve, dëshmon se përveç nën emra dhe mbiemra thjesht shqiptarë, shqiptarët janë të pranishëm edhe nën emra dhe mbiemra serbë, që s’kanë të bëjnë fare me përkatësinë etnike; në një varg rastesh i ati mban një emër sllav dhe i biri emër shqiptar dhe anasjelltas; për fshatra me emra sllavisht dhe me banorë me emra sllavë, jepet cilësimi se janë shqiptarë; nuk qëndron më kurrsesi as identifikimi serb e ortodoks; shqiptarët nën presionin e administratës politike e kishtare serbe kishin marrë, si ortodoksë, edhe emra sllavë, ashtu si në rastin analog të presionit politik e fetar osman, morën emra islamikë. Rezultate të rëndësishme kanë dhënë në këtë drejtim analizat e imëta të turkologut S.Pulaha (Tiranë)dhe M. Tërnava (Prishtinë), botuar në organet shkencore të Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës.

Fakti që në Kosovë me vendosjen e sundimit osman islamizimi u përhap te popullsia shqiptare me besim ortodoks e katolik, e jo te minoriteti serb, tregonte se te ky i fundit vepronte ende autoriteti i kishës ortodokse serbe, i Patriarkanës së Pejës, ndërsa për shqiptarët, si një autoritet i huaj i imponuar, ky nuk mund të ushtronte më këtë funksion.

Po ashtu, si ortodoksia gjatë sundimit serb, edhe islamizimi nuk arriti t’i asimilonte shqiptarët, sepse u ndeshën me një popullsi masive me tipare kombësie të dalluar qysh prej kohe (në fakt shqiptarët dallohen në dokumente të sundimtarëve serbë qysh në shekullin XIV). Që popullsia myslimane mbeti shqiptare edhe në këto kushte, na dëshmojnë vizitorët apostolikë të Romës, të cilët që nga fillimi i shekullit XVII e përshkonin periodikisht trevën e Kosovës; krahas tyre flasin me elokuencë përsëri defterët osmanë që regjistrojnë emrat shqiptarë të proselitëve bashkë me emrat e rinj islamik.

Nuk mungojnë këtu edhe të dhënat ndonëse të copëtuara të dijetarëve turq si Haxhi Kallfa e Evlia Celebi, që dëshmojnë për karakterin shqiptar të banorëve të qyteteve kosovare si Vuçiterni në një kohë para të ashtuquajturës shpërngulje serbe.

Në këto kushte nuk mund të flitet kurrsesi për një dyndje të tillë masive të popullsisë shqiptare nga viset e brendshme drejt Kosovës. Përveç faktit që një lëvizje e tillë do të kishte lënë gjurmë në dokumentacionin jashtëzakonisht minucioz të administratës turke, ajo është edhe për arsye demografike e pamundshme.

Popullsia malore e Shqipërisë së sotme të Veriut, e cila pas defterëve osmanë në shekullin XV-XVI nuk kishte më tepër se 2014 shtëpi, nuk ishte në gjendje të mbushte me banorë trevat e Kosovës, ku vetëm sanxhaku i Prizrenit dhe i Dukagjinit kishin më se 20800 shtëpi!

Vëzhgimi i mbrehtë antropogjeografik i J.G. Hanit (1860), një nga themeluesit e studimeve ballkanologjike, ka tërhequr vëmendjen mbi paradoksinë e thënieve se shqiptarët paskan qenë pushtuesit e tokave të Kosovës; situata reale, kur enklavët serbë gjenden në fushën e Kosovës, kurse mungojnë krejt në zonat malore, flet qartë për këtë dijetar se shqiptarët përbënin popullsinë e lashtë autoktone në tërheqje para ardhësve të rinj serbë.

Që trevat e Kosovës nuk përbënin një përzierje njerëzisht të ardhur vonë nga krahinat e ndryshme të brendshme, e vërteton nga ana e vet studimi dialektologjik i të folmes së kësaj treve. Linguisti i shquar italian, C.Tagliavini ka vënë në dukje karakterin unitar arkaik të kësaj të folmeje, si një unitet me vete verilindor, i formuar prej kohësh në kuadrin e nënndarjeve të shqipes; pikërisht për arsye të karakterit të saj të lashtë periferik, kjo e folme, në bazë të parimeve të mirënjohura të gjuhësisë areale, është më konservatore në ruajtjen e tipareve arkaike.

Më në fund le të vijmë tek e ashtuquajtura “shpërngulje masive” e serbëve nga Kosova si shkak i deserbizimit.

Dokumentacioni austriak për fundin e shekullit XVII dëshmon se Kosova qysh para shpërthimit të kryengritjeve dhe ekspeditës austriake banohej kryesisht nga shqiptarët, se komanda austriake i përfshinte këto vise nën emërtimin Shqipëri, qendër e së cilës konsiderohej Prizreni.

Ishin pikërisht shqiptarët, të cilëve u drejtohej në radhë të parë perandori Leopoldi I dhe qenë ata që u bashkuan në masë me trupat austriake (në Prishtinë 5000, në Prizren 6000), krahas luftëtarëve serbë nga vise që u përshkuan nga ushtria perandorake në rrugën nga Sava drejt Kosovës. Shpërngulja e serbëve nga Kosova, që u bë me rastin e tërheqjes së ushtrive austriake është fryrë qëllimisht nga historiografia e interesuar për ta paraqitur atë në përmasa të tilla, sa për të shpjeguar “deserbizimin” e kësaj treve. Por nuk duhet harruar se më këtë rast u tërhoqën edhe kryengritës shqiptarë, gjurmët e fundit të të cilëve i hasim ende sot në Sllavoni.

Është e qartë se prania masive e shqiptarëve në Kosovë në shek.XV, para pushtimit osman, shtron domosdoshmërish pyetjen se a është e mundur që kjo popullsi të mos ketë qenë aty qysh më përpara.

Dihet se në krisobulat e mbretërve serbë për disa manastire të Kosovës nuk mungon përmendja e shqiptarëve; po të mendojmë se sa i paktë është në përgjithësi numri i këtyre akteve, përqindja e rasteve të përmendjes së shqiptarëve në shek. XIV fiton një rëndësi të veçantë, po ta shohim këtë fakt të lidhur me dokumentacionin e bollshëm për shqiptarët të mesit të shek. XV po në këtë trevë.

Dokumentacioni i shkruar, në përgjithësi shumë i varfër edhe për historinë serbe për periudhën para shek. XII, e bën të nevojshme që historiani i Kosovës të operojë me burime historike të një tipi tjetër, të ndryshëm nga dokumentet e shkruara, me materialet arkeologjike e gjuhësore.

Në rrugën retrospektive që ndoqëm, ne hasim në një periudhë të errët në përgjithësi për gjithë Ballkanin, periudhë që përfshin shekujt e parë të mesjetës. Krahas arkeologjisë, është sidomos gjuha, si kriteri etnik kryesor që fiton në këto kushte prioritet, sipas parimit të mirënjohur të gjuhësisë, se historia e gjuhës është njëkohësisht historia e popullit që e flet (F.Kluge).

Kosova, treva e së cilës bënte pjesë në Dardaninë antike, ndau në përgjithësi fatet e gjithë trevës së Ilirisë Jugore; nën një shtresë romanizimi të përciptë, këtu u mbajt te shtresat e ulëta të popullsisë provinciale ilire një kulturë materiale e shpirtërore karakteristike, e cila ruante tipare të lashta të trashëguara nga koha e vonë e hekurit, të cilat i zhvilloi në kushte të reja ekonomike-shoqërore, në takim me kulturën perandorake bizantine.

Kjo kulturë e tipit të Komanit, e studiuar ndër të tjera edhe nga albanologu francez Degrand dhe anglezja Durham, dhe në studime speciale nga arkeologë shqiptarë, midis tyre edhe studiuesi kosovar M. Shykriu, përbën dëshminë e qartë të vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe të autoktonisë së banorëve të vjetër vendës që u mbajtën në trevat perëndimore ballkanike, kurse tashmë në përgjithësi mbizotëronin ardhësit sllavë, serbët dhe sllavët maqedonas e bullgarë (shih gërmimet ndonëse tepër ë kufizuara ende, të bëra në Verbnicë, Romaia, Pejë, Gjilan nga arkeologë kosovarë).

Vazhdimësinë iliro-shqiptare në Kosovë, përveç materialeve arkeologjike, e përforcon edhe materiali onomastik i kësaj periudhe midis antikitetit dhe mesjetës. Një varg studiuesish të shquar të kohës sonë, si gjuhëtarët austriak N.Jokl, G.Veigand e sidomos linguistët e njohur kroatë H.Bariç e P.Skok kanë treguar se te onomastika antike e mesjetare e trevës së Dardanisë, “Karakteri fonetik tregon se ata janë emra të stërlashtë që sllavët e Jugut i kanë marrë përmes gjuhës shqipe, sepse në këto toponime mund të konstatohen ndryshimet fonetike, të cilat janë bërë para ardhjes së sllavëve të Jugut, në territorin historik të shqipes”

(Kështu e formulon këtë mendim të rëndësishëm H.Bariç në botimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjë-Hercegovinës dhe në librin e tij ‘’Hymje në historinë e gjuhës shqipe’’ Prishtinë 1955). Për të përcaktuar këtë zonë të lashtë të shqipes, H.Bariç jepte disa toponime antike, “ku nën perden sllave ka mundur të mbahet karakteri fonetik i shqipes’’. Të tilla toponime janë Naisus-Nish, Shkupi-Skopia, Astibos-Shtip, Scardus Mons-Sharr. Kjo listë toponimesh shqiptare në treva pjesërisht sot sllave është zgjeruar edhe më tej nga linguistët shqiptarë E.Çabej (Tiranë), I.Ajeti (Prishtinë).

Këta e të tjerë emra i kanë çuar studiuesit e përmendur Veigand, Jokl e Bariç të formulojnë mendimin se një nga vatrat e formimit të shqiptarëve dhe shqipes është pikërisht Dardania, ku shqipja mundi të zhvillohej si gjuhë e formuar në unitetin e vet, pa u ndikuar në këtë etapë nga të folmet sllave që e rrethonin. Për këtë arsye H.Bariç konkludonte se “marrëdhëniet intime intensive sllavo-shqiptare me siguri se nuk kanë ndodhur në shekujt e parë të ngulitjes së sllavëve, por kryesisht në shekujt XIII e XIV për rrethana politiko-shoqërore të njohura’’, d.m.th të pushtimit të trevave shqiptare nga shteti serb.

Teza e rolit të Dardanisë si trevë e lashtë e shqipes përforcohet edhe nga studimi i romanistëve gjermanë E.Gamillsheg, G. Raichenkron, M.Friedwagner, të cilët pikërisht me praninë e lashtë të shqiptarëve në trevën e Dardanisë shpjegonin takimet aq intensive të shqipes me rumanishten.

Në këtë drejtim çon edhe mendimi i sllavinistit holandez Van Wejk, sipas të cilit midis serbëve në veriperëndim e bullgarëve në lindje shtrihej një zonë e ndërmjetme që edhe akademiku rumun E. Petroviçi e konsideron si trevë të lashtë të shqipes.

Në këto kushte shtrirja e shtetit serb në shek. XIII në drejtim të trevave të Kosovës, që bënin pjesë deri atëherë në zotërimet bizantine, nuk ishte kurrsesi “çlirim” i tokave serbe, por një pushtim e aneksim i tokave të Kosovës, të banuara prej shqiptarësh, po ashtu si akti i vitit 1913.

Çka u tha, nuk mohon kurrsesi tezën e zotit Oben se Kosova ishte qendra politike dhe kishtare e shtetit serb në shekujt XIII e XIV. Nuk është ky as i pari, as i vetmi rast në historinë e Evropës, për një ndryshim të tillë etnik midis klasës sunduese, aparatit shtetëror ushtarak e kishtar dhe popullsisë autoktone të përbërë nga shtresat e ulëta popullore.

Të vësh baras këtë mbistrukturë, të ardhur në një kohë të përcaktuar historikisht, me popullsinë autoktone, do të thoshte, për shembull të quash në Francë Lotariginë historike të mesjetës si pjesë të “Lebensraum”-it gjerman pikërisht për arsye se ishte gjermane klasa sunduese feudale atje, po ashtu si duhej të quanim gjerman gjithë “Ostlandin” baltik e polak për shkak të sundimit shumëshekullor të “Urdhrit teutonik”; do të thoshte të quash më në fund, për të ardhur në territorin e Jugosllavisë, tokë austro-gjermane Slloveninë edhe gjithë ato territore të Kroacisë e Sllavonisë, etj., ku klasa sunduese, kisha, borgjezia e qyteteve ishte gjermane.

Mite të tilla janë jo vetëm në kontradiktë të thellë me rezultatet e shkencës, por bëhen të rrezikshme kur konsiderohen si “tabu” të detyrueshme për trajtimin historik dhe, si “mite”, bëhen përçuese dhe drejtuese të politikës.

Racionalizmit francez historiografia i detyron një parim të rëndësishëm, parimin dekartian “të dyshimit metodik”, po ashtu si parimin metodik pozitivist të luftës kundër miteve e konstruksioneve pa baza faktike. Pa një qëndrim të tillë, shkenca historike nuk do t’i përgjigjej detyrës së saj të luftës për të vërtetën kundër dogmave e miteve, siç janë ndër të tjera edhe tezat e historiografisë serbomadhe mbi Kosovën, mbrojtës, në mos viktimë e të cilave u bë profesori M.Oben.

/Nga – Salih Mehmeti/

COMMENTS

Publicite

Name

Shqiperia,1,
ltr
item
Alldailydose: Autoktonia e shqitarëve në Kosovë mijëravjeçare/Polemikë me akademikët serbë
Autoktonia e shqitarëve në Kosovë mijëravjeçare/Polemikë me akademikët serbë
https://1.bp.blogspot.com/-3bcrexN2sPQ/XutA8ymewkI/AAAAAAAAA3w/S0P3uH_s6-Al90wIRinAPtgo5IEDdr3aQCK4BGAsYHg/s320/20200618_122408.jpg
https://1.bp.blogspot.com/-3bcrexN2sPQ/XutA8ymewkI/AAAAAAAAA3w/S0P3uH_s6-Al90wIRinAPtgo5IEDdr3aQCK4BGAsYHg/s72-c/20200618_122408.jpg
Alldailydose
https://www.alldailydose.com/2020/06/autoktonia-e-shqitareve-ne-kosove.html
https://www.alldailydose.com/
https://www.alldailydose.com/
https://www.alldailydose.com/2020/06/autoktonia-e-shqitareve-ne-kosove.html
true
3890613646967640080
UTF-8
Loaded All Posts Not found any posts VIEW ALL Readmore Reply Cancel reply Delete By Home PAGES POSTS View All RECOMMENDED FOR YOU LABEL ARCHIVE SEARCH ALL POSTS Not found any post match with your request Back Home Sunday Monday Tuesday Wednesday Thursday Friday Saturday Sun Mon Tue Wed Thu Fri Sat January February March April May June July August September October November December Jan Feb Mar Apr May Jun Jul Aug Sep Oct Nov Dec just now 1 minute ago $$1$$ minutes ago 1 hour ago $$1$$ hours ago Yesterday $$1$$ days ago $$1$$ weeks ago more than 5 weeks ago Followers Follow THIS CONTENT IS PREMIUM Please share to unlock Copy All Code Select All Code All codes were copied to your clipboard Can not copy the codes / texts, please press [CTRL]+[C] (or CMD+C with Mac) to copy