Medvegja ka vdekë Du me bâ bè mos me shku’ mâ në Medvegjë. Aty gjuha shqipe flitet vetëm në ndonjerën nga dy-tri kafenetë e kësaj qyteze, ku...
Medvegja ka vdekë
Du me bâ bè mos me shku’ mâ në Medvegjë. Aty gjuha shqipe flitet vetëm në ndonjerën nga dy-tri kafenetë e kësaj qyteze, ku dikur shqipja flitej në çdo cep.
Madje, siç më tha një mik nga Medvegja, "njeriu më i rëndësishëm shqiptar në komunën e Medvegjës është një ‘portir’ (derëtar)”.
Nuk ka më në Medvegjë as nënkryetar shqiptar të komunës, as nënkryetar shqiptar të kuvendit - poste që në të kaluarën, së paku simbolikisht, i kishin shqiptarët.
Bile, edhe numri i asambleistëve është reduktuar nga 13-14, sa ishin para pak vitesh, në vetëm 3 asambleistë shqiptarë aktualisht.
Ata nuk mund të bëjnë bash asgjë dhe nuk paraqesin kurrfarë peshe politike në komunën e Medvegjës.
E di që disa do më thonë se jam bërë i bezdisshëm me temën e Medvegjës.
Do më thonë se nuk jam as kompetent që të shkruaj.
Por, një gjë e di.
Po e vizitove Medvegjën, edhe nëse arrin t'i përmbash lotët, nuk do arrish ta përmbash dhimbjen e zemrës kur e sheh qytetin dhe medvegjalitë se si nuk kanë as ku të ankohen për humbjen e adresave dhe dhimbjen që ndiejnë ata pak vetë për faktin se askush nuk kujtohet për ta.
Edhe ato 100 mijë euro që qeveria e mëhershme kosovare i ka dërguar për Medvegjë kanë mbetur të bllokuara nga pushteti lokal, i cili nuk dëshiron t'i menaxhojë për ndonjë projekt shqiptar.
Me zemër të plasur një mik medvegjali më tha: "Më mirë Kosova t’ua dërgonte ato para individëve që janë pa strehë sesa që i dërgoi përmes xhirollogarisë, e tash nuk mund t'i shfrytëzojnë shqiptarët".
Fotografinë para komunës e bëra sepse nuk do jetë e largët dita kur edhe emrin në shqip - "Medvegjë" - do e fshijnë.
Shkruan: Behxhet Bici
COMMENTS